“MH370”, piloti kishte simuluar një udhëtim vetëvrasës

24/07/2016 00:00

A mos vallë ishte vrasje masive e paramenduar? Avioni malajzian me 239 persona në bord, i zhdukur 8 marsin e vitit 2014, fluturoi për 4 orë mbi oqeanin Indian, deri në shterrimin e karburantit – thotë “New York Times”, që hedh dyshime mbi njërin nga pilotët, duke çelur kështu një spirale të re e shqetësuese dyshimesh, mbi fatin e fluturimit të zhdukur “MH370” të “Malaysia Airlines”.

Gazeta prestigjioze ka arritur të sigurojë një dokument konfidencial të hetimeve policore mbi ngjarjen, ku ka bashkëpunuar edhe FBI-ja amerikane. Aty rezulton se, kapiten Zaharie Ahmad Shah, një muaj përpara incidentit kishte simuluar një udhëtim vetëvrasës, ku ndiqte një rrugë të ngjashme me atë që mendohet të ketë përshkuar “MH370”-ta.

Nëse hipoteza konfirmohet, do të bëhej fjalë për një rast të ngjashëm me atë të “German Wings”, të nisur nga Barcelona drejt Dyseldorfit marsin e vitit 2015, e të rrëzuar qëllimisht nga piloti i dytë Andreas Lubitz mbi Alpet franceze.

Kapiteni Shah ka qenë që në fillim në mesin e të dyshuarve të policisë për këtë rast, por verifikimet e para e përjashtuan mundësinë e një gabimi të tij, pasi rezultonte një pilot i aftë të vepronte mirë edhe nën presion dhe pa shenja të dukshme apatie, ankthi apo shqetësimesh të tjera.

Top Channel