Furgoni i grabitësve të Rinasit? Policia gjen një mjet të dyshimtë dhe të braktisur, e bllokon

22/07/2016 00:00

Hetimet për supergrabitjen e Rinasit kanë ngelur në “vend numëro”. Kur kanë kaluar më shumë se 3 javë nga grabitja e 1 milion eurove në pistën e aeroportit ndërkombëtar të vetëm në vend, autoritetet nuk kanë asnjë person të dyshuar.

Top-Chanel ka mësuar se në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Tiranës mbahet një furgon i bardhë i cili dyshohet të jetë përdorur nga autorët për t’u larguar pas djegies së mjetit Benz në Fushë-Prezë, i cili rezultoi i vjedhur në Pogradec në muajin mars.

Furgoni i bardhë tip Ford (që shihni në foto), është gjetur i braktisur rreth një javë më parë në zonën e Unazës së Re në kryeqytet dhe përkon me të dhënat e mjetit që autorët fiksohen nga kamerat e sigurisë, teksa largohen dhe humbin gjurmët në zonën e Laknasit.

Furgoni i mallrave i është nënshtruar ekspertizës së detajuar nga policia shkencore për të gjetur gjurmë gishtash apo të dhëna të tjera në funksion të hetimit, por ende nuk ka rezultate në këtë drejtim.

Ndërkohë burime konfidenciale pranë uniformave blu bëjnë me dije se në vëzhgim po mbahen 2 grupe kriminale, një në zonën e Burrelit dhe një grup tjetër me tendencë grabitjet, ku bëjnë pjesë edhe disa shtetas kosovarë me precedentë të mëparshëm penal.

Hetimet po udhëhiqen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pasi ka dyshime se vepra është kryer nga një grup i strukturuar kriminal i cili mund të ketë kryer edhe grabitjet e tjera të bankave gjatë 18 muajve të fundit.

Top Channel