GKA në “Nacional Galleries”

18/06/2016 00:00

Simon Knell, profesor i studimeve muzeale në Universitetin e Leicesterit, e vizitoi Galerinë Kombëtare të Arteve në gusht të vitit 2012. Atij i bëri përshtypje fakti që arti i realizimit socialist jo vetëm nuk ishte fshehur dhe paragjykuar, por madje edhe i ishte kushtuar një pavion i veçantë në këtë galeri.

Nisur nga kjo, por edhe nga botimet e historianit të artit Ferid Hudhrit për Shqipërinë dhe shqiptarët në artin botëror, ai zgjodhi ta përfshinte Galerinë tonë në botimin “Nacional Galleries” në Londër dhe Nju Jork për galeritë e arteve në botë.

“Kemi të gjithë arsyet për t’u ndjerë krenar në këtë rast sepse është një kënaqësi, një marketing muzeal për imazhin dhe impaktin që ka arti historik shqiptar dhe jo vetëm në arenën ndërkombëtare”, u shpreh Artan Shabani, drejtor i Galerisë Kombëtare.

Ky është libri i parë që jep një këndvështrim panoramik për tipin e institucioneve kombëtare të artit, por edhe ndryshimet në qëllimet e artit kombëtar dhe ndërkombëtar.

“Asnjë shoqëri nuk duhet të ndihet e frustruar nga çfarë ka jetuar, pra duhet të evidentojmë jo atë lloj arti aq sa atë periudhë të historisë sonë. E çuditshmja është tek jo e sqaruara, pra duhet sqaruar çfarë ka ndodhur dhe duhet kuptuar se çfarë ndodhë”, vijoi Shabani.

Ajo që Knell nënvizon është që mungesa e lirisë dhe slogani “Arti i përket njerëzve”, ka krijuar një nga variantet pragmatiste të artit të realizmit socialist. Megjithatë edhe pse ka munguar liria, ka patur vepra të mira.

“Nuk do të ishte korrekte në qoftë se do themi nuk solli vepra të mira”, tha Shabani.

Top Channel