Shoqëria civile, pro reformës. Protestë dhe apel deputetëve

18/07/2016 00:00

Për rreth 60 minuta, shoqëria civile ka protestuar këtë të hënë përpara Kryesisë së Kuvendit, me thirrjen për deputetët shqiptarë, që më 21 korrik ta miratojnë në Kuvend reformën në drejtësi, dhe me thirrjen për qytetarët që t’u bashkohen atyre.

“Ne mbështesim miratimin e reformës me konsensus të gjerë politik, por kërkojmë në mënyrë të prerë që konsensusi i domosdoshëm të mos shndërrohet në pazar politik, përmes të cilit është kontrolluar dhe deformuar deri tani drejtësia, duke siguruar vetëm privilegjin para ligjeve të atyre që kanë pasur pushtetin. Ne u bëjmë thirrje deputetëve që të veprojnë jo nën komandën e partive të tyre, por nën komandën e interesave të popullit që i ka votuar, interesave të vendit për sot dhe për të ardhmen”, tha Mirela Arqimandriti, pjesë e grupimit qytetar pro reformës.

Me thirrjen e shoqërisë civile u bashkua edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

“Komiteti Shqiptar i Helsinkit u bën thirrje të gjithëve: pa një reformë në drejtësi nuk ka demokraci, nuk ka zhvillim të vendit. Prandaj të gjithë të kërkojnë ballëhapur që politika ta votojë një orë e më parë, ashtu siç është më mirë për Shqipërinë dhe për shqiptarët”, u shpreh Vjollca Meçaj, Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Shoqëria civile do të protestojë edhe të martë e të mërkurën përpara Kryesisë së Kuvendit, ndërsa të enjten e 21 korrikut protesta e tyre do të zhvendoset përpara Parlamentit.

Top Channel