Francë, disa minuta heshtjeje në nder të viktimave të Nicës

18/07/2016 00:00

Franca ka mbajtur një moment heshtjeje të cilësuar kombëtare, në nder të 84 viktimave të masakrës me kamion nga terroristi Mohamed Lahouiaej Bouhlel në Nice, ndërkohë që me mijëra njerëz kanë vërshuar në shëtitoren pranë bregdetit “Promenade des Anglais”, e cila në ditën e festimeve të Bastijës u kthye në një fushë të përgjakur.

Me lule nëpër duar dhe lotë ndër sy, turma qëndroi në heshtje për disa minuta buzë brigjeve shkëmbore gjatë mesditës së kësaj të hëne, pikërisht në rrugën ku u ndalua qarkullimi i automjeteve enkas për festimet e së enjtes, që u mbyllën me një spektakël fishekzjarresh, pas të cilit ndodhi edhe sulmi terrorist.

Terroristi Bouhlel shpejtoi me kamionin e marrë me qira përballë turmës së njerëzve me synimin për të vrarë sa më shumë prej tyre. Shumë prej viktimave dhe 308 të plagosurve ishin fëmijë. Mes të pranishmëve në ceremoninë e sotme në Nice ishte edhe kryeministri Manuel Valls, ndërkohë që në të gjitha ndërtesat anembanë vendit shihej flamuri në gjysmështizë për shkak të 3 ditëve të zisë të shpallura në Francë pas atij sulmi vdekjeprurës.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel