Porti gjigant në Kavajë, Ekonomi: Pas projektit janë kompani të fuqishme

16/07/2016 00:00

Për Milva Ekonomin, kompanitë e përfshira në projektin e portit gjigant të Kavajës kanë garancitë e nevojshme financiare për të investuar 5 miliardë dollarë.

“Janë parë disa dokumente që janë sjellë ose propozime që janë bërë më shumë seriozitet. E dyta që është shumë e rëndësishme, është që duke parë eksperiencën e këtyre kompanive nga vendet ku ato vijnë besojmë që kanë qenë histori suksesi”, shprehet  Milva Ekonomi.

Pikëpyetjet mbi projektin u ngritën veçanërisht nga pozicioni financiar i kompanisë “Star Bridge”, e cila figuron me një kapital prej vetëm 100 paund. Por, Ekonomi thotë kjo kompani ka vetëm rol ndërmjetës

 “’Star Bridge’ është kompania që bën bashkë këto kompanitë e tjera. Duke luajtur rolin e një investitori që grumbullon kompani të mëdha”, shprehet Ekonomi. 

Sipas saj, në konsorcium bëjnë pjesë kompani gjigante, të cilat kanë realizuar projekte të mëdha në shumë vende.

“Kompania “Aecom”, e cila ka realizuar portin e Nju Jorkut, atë në Sidnej, “London gateway port”. Eksperienca është e madhe dhe për këtë arsye besojmë shumë që të kemi një histori suksesi”, shprehet Ekonomi. 

Ekonomi thotë se brenda 6 muajsh kompania do të ketë gati planin e shpronësimeve, ndërkohë që pas kësaj pritet të nisin punimet për ndërtimin e portit.

“Brenda vitit 2018 te jene realizuar punimet e para”.

Sipas qeverisë, porti i Kavajës do të kushtojë 5 miliardë dollarë dhe pritet të hapë 70 mijë vende pune.

Top Channel