Panariti, takime në DASH; mbështetje për politikat bujqësore

15/07/2016 00:00

Në vijim të vizitës në Uashington, ministri i Bujqësisë Edmond Panariti u takua me drejtorin për Politikat Bujqësore në Departamentin e Shtetit, Eric Luftman.

Gjatë takimit me zyrtarin amerikan, Panariti prezantoi politikat dhe modelin e zhvillimit të bujqësisë shqiptare. Ai theksoi se, modeli i “contract farming”, ose i “bujqësisë me porosi”, është motori i zhvillimit të bujqësisë së orientuar drejt kërkesave të tregut.

Gjithashtu, Panariti kërkoi mbështetjen për krijimin e bursës bujqësore, si rregullator i çmimeve dhe parandalues i spekulimeve.

Ministri theksoi edhe nevojën e mbështetjes amerikane për çertifikimin e prodhimeve organike dhe eksportimin e tyre drejt tregjeve të Shteteve të Bashkuara.

Zhvillimi i agro-turizmit ishte një tjetër temë e bisedimeve, me ministrin Panariti që e vuri theksin tek impakti pozitiv që ky sektor mund të japë në zhvillimin e zonave të caktuara, duke rritur punësimin dhe kohezionin social.

Nga ana e tij, Luftman shprehu mbështetjen e tij për politikat e ndërmarra nga Ministria e Bujqësisë dhe e siguroi zotin Panariti për mbështetje të mëtejshme në realizimin e projekteve.

Më pas, Panariti zhvilloi një takim edhe me drejtorin e Zyrës për Europën Qendrore të DASH, Thomas Yazdgerdi, me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në politikën shqiptare, si miratimi i afërt në Parlament i reformës në drejtësi.

Top Channel