Siria, Kerry pritet nga Putin në Kremlin për operacione të përbashkëta ushtarake

14/07/2016 00:00

I “armatosur” me propozime të reja për një veprim të përbashkët mbi zgjidhjen e krizës së Sirisë, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka zbritur këtë të enjte në Moskë për të zhvilluar bisedime me Presidentin Vladimir Putin, gjë që pritet të zgjasë edhe përgjatë natës.

“Biseda jonë e fundit me Presidentin Obama më bindi se ne jo vetëm që jemi duke zhvilluar bashkëpunimin, por po e bëjmë këtë gjë me synimin për të arritur rezultate konkrete”, tha presidenti rus pas pritjes që i bëri kryediplomatit amerikan në Kremlin, ku edhe shkrepën një foto zyrtare.

“Vij këtu me shpresën se ne do të mund të arrijmë një progres real, të matshëm dhe të implementueshëm, që do të bëjë edhe diferencën mes ngjarjeve dhe zhvillimeve në Siri”, deklaroi Sekretari amerikan i Shtetit, i cili shtoi në fjalën e tij se “kërkon të zhvillojë një bisedë serioze”.

Ndërkohë, nga ajo që paraqesin mediet amerikane, Kerry ka shkuar në Moskë për të diskutuar në lidhje me një propozim kontrovers amerikan për të koordinuar me Rusinë operacionet ushtarake në Siri, në këmbim të përdorimit të forcës ajrore nga vet regjimi sirian.

SHBA-të kanë propozuar një koordinim më të ngushtë ushtarak që përfshin edhe sulmet ajrore ndaj grupeve të militantëve si Fronti al-Nusra apo Shteti Islamik, teksa kërkojnë nga Moska që në këmbim të përdorin influencën e tyre për ndaljen e forcës ushtarake siriane, gjë që ka penguar arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi duke vijuar me bombardimet e qendrave të populluara nga civilët.

Kerry shpreson që marrëveshja të mund të reduktojë dhunën në Siri pas më shumë se 5 vitesh lufte civile. Aktualisht, regjimi i Assadit zhvillon thuajse 24 sulme ajrore në ditë, sipas asaj që bën të ditur një zyrtar ushtarak amerikan.

Në një version të rrjedhur të propozimit, të siguruar nga “Washington Post”, SHBA-të ofrojnë ngritjen e një qendre të përbashkët komandimi dhe kontrolli, që do të ndihmonte në lehtësimin e oepracioneve të përbashkëta kundër ekstremistëve dhe që do të përbëhej nga oficerë ushtarakë amerikanë dhe rusë, por edhe zyrtarë të shërbimeve sekrete dhe ekspertë të ndryshëm.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel