Obama: Të rikthejmë besimin e policisë

14/07/2016 00:00

Duhet ndërtuar besimi tek policia, tha presidenti amerikan, Barack Obama në Uashington, pas një takimi me aktivistë, politikanë e oficerë të policisë.

Vendi, sipas shefit të Shtëpisë së Bardhë as që i është afruar ngushtimit të hendekut mes forcave të rendit dhe komuniteteve, të cilave ato i shërbejnë. Duhet bërë më shumë, sipas presidentit amerikan, sidomos sa i takon krijimit të besimit mes personave me ngjyrë dhe hispanikëve, e për këtë duhet nisur sipas tij me hetimin e drejtë të dhunës policore.

“Do të nevojitet të punojmë më shumë së bashku për të krijuar bindjen se pasi efektivët e policisë kanë përdorur forcën, e sidomos forcën vdekjeprurëse, do të ketë hetime të plota mbi ngjarje që kanë indinjuar opinionin publik dhe se drejtësia do të vihet në vend”, tha Obama.

Komentet e Obamës vijnë në vazhdën e vrasjeve më të fundit të afro-amerikanëve, ato të regjistruara në Louisiana e Minnesota, si dhe sulmin hakmarrës me snajperë që i kushtoi jetën 5 policëve në Dallas të Teksasit, autori i të cilit, një ish-pjesëtar i forcave ushtarake, veproi pikërisht duke kërkuar shpagim për vdekjet e personave me ngjyrë në duart e efektivëve të policisë.

Ndërkohë, departamenti i policisë së Fresno-s, në Kaliforni, bëri publike pamjet e marra nga kamera e instaluar në trupin e një oficeri të përfshirë në vrasjen e 19 vjeçarit, Dylan Noble, në 25 qershor. Videoja tregon sesi Noble i injoron në mënyrë të vazhduar thirrjet për të ndaluar e për të treguar duart përpara se policët të qëllonin mbi të.

Top Channel