“Tradhtia” e Barrosos, ekspert i “Brexit” për Goldman Sachs

14/07/2016 00:00

Franca i bëri thirrje ish-kreut të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso që të mos pranojë punën si këshilltar për “Brexit” në bankën amerikane Goldman Sachs. Ministri fancez për Europën, Harlem Desir e cilësoi këtë lëvizje të Barrosos skandaloze dhe tha se ajo ngre dyshime për rregullat e konfliktit të interesit në Evropë.

Ish-komisionerët lejohen që të marrin një rol të ri 18 muaj pasi kanë lënë detyrën. Pavarësisht se Barroso e bëri këtë pas 20 muajsh, ai është sulmuar për injorimin e thelbit të rregullave.

“Është një gabim i Barrosos dhe shërbimi më i keq që një ish-president komisioni mund t’i bëjë projektit evropian në një moment historik, kur ai duhet përforcuar dhe mbështetur”, deklaroi ministri fancez. Banka Goldman Sachs punësoi Barroson si një këshilltar dhe drejtues joekzekutiv të biznesit të saj ndërkombëtar me një portofol të veçantë të këshillimit të bankës për pasojat e “Brexit”.

Barroso u shpreh se shpreson që eksperienca në BE t’i shërbejë në këtë rol të ri, ndërsa operacionet e bankës në Londër po përballen me largimin e Britanisë nga BE-ja. Në rolin e tij të ri do të shfrytëzojë njohjen e thellë të BE-së dhe aksesin që ka tek shumë zyrtarë dhe politikanë me të cilët ka punuar në komision. Kjo është cilësuar si e turpshme nga disa politikanë evropianë, me ministrin francez të Financave, Mishel Sapin që tha se nëse dikush e do Evropën, këtë nuk mund ta bëjë.

Top Channel