Kosovë, Demarkacioni nuk do të procedohet gjatë kësaj jave

13/07/2016 00:00

Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi nuk do të procedohet për ratifikim në Kuvend as gjatë kësaj jave. Kjo, për shkak se partnerët e koalicionit kanë qëndrime të ndryshme mbi mënyrën sesi duhet menaxhuar procesi.

Burime të gazetës proqeveritare kanë theksuar të martën se, nuk kanë pasur konsultim paraprak mes partive kryesore në pushtet në lidhje me qëndrimin e shprehur publikisht nga Sokol Havolli, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, sipas të cilit marrëveshja do të procedohej gjatë javës, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Nuk votohet këtë javë”, i ka thënë gazetës një anëtar i kabinetit qeveritar nga radhët e PDK-së. “Para procedimit ka nevojë për konsultime politike dhe për konsensus kombëtar”.

Një tjetër burim ka theksuar se kryeministri Mustafa, drejtues i LDK-së, është i interesuar që demarkacioni të vihet sa më shpejt për votim, por për këtë nuk e gëzon mbështetjen e partnerit kryesor në koalicion, PDK.

Sipas tij, kryeparlamentari dhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka arritur të qetësojë raportet me një pjesë të opozitës. Ndaj, sipas këtij burimi, ai ka për qëllim që kur të vihet në rend dite, demarkacioni të evitojë skenat me gaz lotsjellës, të para në seancat plenare gjatë fundvitit të shkuar dhe gjatë këtij viti.

Top Channel