Përmirësimi i qeverisjes

08/07/2016 00:00

Në qytetin e Lezhës është prezantuar thirrja e dytë për shoqërine civile dhe individët, në kuadër të projektit “Lëviz Albania”.

Projekti është mbështetur nga qeveria zvicerane, ndërsa “Lëviz Albania” në thirrjen e dytë për aplikime përcaktoi dy drejtime, ku duhet të bazoheshin koncept idetë e grupimeve të lartpërmendura.

Advokaci dhe lobim për përmirësim, ndryshim apo zbatim të suksesshëm të politikave vendore përmes rritjes së përgjegjshmërisë të përfaqësuesve të institucioneve publike, si dhe rritja e llogaridhënies së zyrtarëve vendorë të zgjedhur dhe të emëruar.

“Përfshirja e individëve është një element shumë i rëndësishëm i projektit tonë, i cili mundëson që çdo qytetar i thjeshtë, që ka një ide apo projekt, apo mendon që diçka duhet të ndryshojë në lidhje me mënyrën sesi funksionon qeverisja lokale, e paraqet atë përpara projektit tonë dhe pasi kalon fazën e vlerësimit dhe të konkursit të ideve, bordi i granteve vendos për të kaluar në fazën tjetër”, tha Valbona Kuko, drejtore ekzekutive e “Lëviz Albania”.

Thirrja e dytë për aplikime qëndroi e hapur për tre javë. Pranë “Lëviz Albania” mbërritën 206 aplikime, të cilat mbuluan gjeografikisht të 61 bashkitë e vendit. Për në fazën e “Konkurseve të ideve” u kualifikuan 50 koncept ide, të ndara në tre grupe sipas zonave të zbatimit të parashikuara nga aplikantët.

Top Channel