Instalimi i matësave, OSHEE: Aforfe vetëm 2.500 njësi në zonat e thella

08/07/2016 00:00

OSHEE ka përfunduar instalimin e 71.000 matësave të energjisë elektrike për konsumatorët që deri më tani paguanin përmes faturimit aforfe.

“Kjo do të thotë që nga leximet e konsumeve për korrikun, për të gjithë abonentët nuk do të aplikohet më koncepti i aforfesë”, deklaron Albana Ferraj, drejtoreshë e Divizionit Tregtar pranë OSHEE.

Por nga ky numër, rreth 2.500 matësa në Shkodër, Lezhë, Fushë Krujë dhe Librazhd nuk janë ende funksionalë për shkak të problematikës që sipas OSHEE paraqet rrjeti i energjisë në këto zona.

Operatori thotë se deri në përfundimin e investimit në rrjet për këta konsumatorë do të aplikohet tarifa sipas një vlere referuese që do të përcaktohet nga ERE.

“Në zonën e Niklës do të kryhet investimi në nënstacion dhe do të futet në normalitet, meqë kjo është zonë e karakterit rural. Ndërsa për zonat rurale të thella OSHEE ka nisur porosinë speciale për prodhimin e matësave që do të plotësojnë parametrat e nivelit të tensionit që është aktualisht”, deklaron Petraq Lika, drejtor i Divizionit të Shpërndarjes.

Operatori sqaron dhe si do të kryhet faturimi për rastet kur një pjesë e konsumit mujor është kryer pa matës dhe pjesa tjetër me matës.

“Është e vështirë ta shprehim në një faturë të vetme ndaj e kemi ndarë në dy pjesë dhe abonentëve do t’u shkojnë dy fatura në shtëpi, një për ditët pa matës dhe një për ditët me matës, që është dhe më e thjeshtë për ta kuptuar”, sqaron Ferraj.

Top Channel