“Tirana 030”, Veliaj nis dëgjesat nga Kombinati: Synimi ynë, kryeqytet policentrik

07/07/2016 00:00

Bashkia e Tiranës nisi sot nga Kombinati dëgjesat publike për planin e përgjithshëm vendor “Tirana 030”.

Kryetari Erion Veliaj dhe hartuesit e draftit të parë të planit diskutuan mbi mundësitë e zhvillimit të kryeqytetit, ku prioritet nuk do të jenë ndërtimet, por zhvillimi ekonomik, turistik, mjedisor dhe lëvizshmëria në qytet.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj tha se ky tur dëgjesash nisi nga Kombinati për faktin se kjo zonë, duke përfshirë edhe Misto Mamen e Yzberishtin, do të jetë zona e cila në vizionin e planit të përgjithshëm vendor do të pësojë transformimin më të madh, për t’u kthyer në një nga polet më interesante të zhvillimit të Tiranës policentrike.

“Propozimi ynë është që të ecim në mënyrë sistematike me planin e përgjithshëm vendor, për të transformuar jo vetëm zonën e Kombinatit, por edhe pjesët e tjera të Tiranës”, tha Veliaj.

Ai theksoi se Kombinati parashikohet të jetë njëri nga 7 polet që do të ketë kryeqyteti i vitit 2030.

“Kemi vizionin që këto pole t’i zhvillojmë sikur të ishin qytete më vete. Që ato të ekzistojnë si qytete më vete duhet që të kenë infrastrukturën e nevojshme, përfshirë atë shëndetësore e arsimore, apo sistemin bankar dhe industritë e shërbimeve. Më vjen mirë që e fillojmë nga Kombinati sepse i kemi të gjitha mundësitë që të bëjmë një punë të shkëlqyer brenda këtij mandati dhe mandatit tjetër, për t’i dhënë Kombinatit formën e një qyteti brenda qytetit”, theksoi Veliaj.

Top Channel