Raporti mbi “Irakun”, Obama: Të mësojmë nga gabimet

06/07/2016 00:00

Shtëpia e Bardhë ka reaguar ndaj një raporti britanik i cili kritikoi rolin e qeverisë Blair në luftën në Irak.

Sipas zedhënësit të Obamës Josh Earnest , presidenti është përballur me pasojat e vendimit për të pushtuar Irakun, të cilin e ka kundërshtuar  që në kohën kur ka marrë postin.

Raporti i cili ka marrë 7 vite kohë për t’u hartuar, thotë se ish-kryeministri Tony Blair mbështeti pa rezerva politikën amerikane të pushtimit të Irakut, për përmbysjen e regjimit të ish-diktatorit Sadam Hysein.

Blair në atë kohë i ka premtuar presidentit George w Bush se do të ishte me të, çfarëdo që të ndodhte, duke dërguar kështu në Irak 45 mijë trupa britanike.

Por në raportin  “Chilcot” thuhet se forcat britanike u dërguan në luftë “përpara se opsionet paqësore për çarmatim të ezauroheshin”.

Për zëdhënësin e Shtëpisë së Bardhë , Obama ka bërë opozitë ndaj pushtimit të Irakut dhe ka qenë kundër tij prej fillimit.

Para gazetareve Earnest tha se Presidenti Obama ka vuajtur  pasojat e këtij vendimi fatal dhe shtoi se presidentët e ardhshëm me shumë gjase do të bëjnë të njëjtën gjë.

“Është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të mësojnë nga gabimet e së kaluarës”, e mbylli fjalën ai. Më shumë se 13 vjet që nga ndërhyrja ushtarake, Iraku mbetet në kaos, me sipërfaqe të mëdha nën kontrollin e militantëve të Shtetit Islamik të cilët kanë marrë përgjegjësinë për sulmet në qytetet perëndimore.

Top Channel