Juncker kritikon ashpër udhëheqësit e “Brexit”: Braktisën anijen në momente të vështira

05/07/2016 00:00

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker akuzoi mbështetësit e “Brexit”-it, Boris Johnson dhe Nigel Farage, se kishin zgjedhur të largoheshin në momentin që gjërat ishin vështirësuar.

“Ata që dje ishin heronjtë e ‘Brexit’-it, sot janë heronj të trishtuar”, ishin fjalët e Juncker përpara Parlamentit Europian.

Europarlamentarët nuk e fshehën zemërimin për rezultatin e referendumit të 23 qershorit. Juncker i cilësoi pjesëtarët e kampit pro shkëputjes si retronacionalistë, duke thënë se patriotët nuk dorëhiqen kur gjërat vështirësohen.

Kreu i Komisionit Europian tha gjithashtu se nuk e kuptonte dëshirën e tyre për të pritur, para nisjes së procedurave zyrtare të shkëputjes.

“Në vend që të hartojnë një plan, ata po largohen nga anija”, vijoi Juncker.

Boris Johnson, një prej mbështetësve më të zëshëm të “Brexit”-it, i habiti të gjithë me vendimin e tij për t’u tërhequr nga gara për kryesimin e konservatorëve. Ai konsiderohej favorit për të zëvendësuar David Cameron në krye të partisë, por edhe në postin e kryeministrit.

Edhe kreu i partisë euroskeptike “UKIP”, Nigel Farage njoftoi dorëheqjen e tij të hënën, duke thënë se e kishte përmbushur misionin e tij politik duke e vendosur Britaninë në rrugën drejt shkëputjes nga unioni.

Top Channel