Organi më i lartë saudit: Kamikazët dhunuan çdo gjë

05/07/2016 00:00

Organi më i lartë fetar në Arabinë Saudite dënoi ashpër tre sulmet vetëvrasëse të së hënës në mbretëri, përfshirë atë pranë Medinës, vendi i dytë më i shenjtë i Islamit.

Këshilli i Ulemës tha se kamikazët kishin dhunuar çdo gjë që është e shenjtë për njerëzit. Katër roje sigurie u vranë në afërsi të xhamisë së Profetit në Medina, ndërsa dy atentatorë vetëvrasës vdiqën në Jeddah dhe Qatif.

Edhe pse asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmet e ndodhura në përmbylljen e muajit të Ramazanit, dyshimet bien sërish mbi militantët e dhunshëm të Shtetit Islamik.

Grupi xhihadist sunit ka bërë thirrje për rrëzimin e monarkisë saudite dhe mbështetës të tij kanë kryer më parë disa sulme me bomba në këtë shtet të Gjirit Persik, duke shënjestruar më së shumti minoritetin shiit dhe forcat e sigurisë.

ISIS-i ndërkohe ka marrë përsipër sulmet e fundit në shtete me shumicë myslimane si Turqia, Bangladeshi e Iraku, të ndërmarra gjatë muajit të shenjtë të agjërimit.

Top Channel