Dule, mes PS dhe PD; kërkon kompromis për reformën

02/07/2016 00:00

PBDNJ është zyrtarisht në opozitë, por në kongresin e saj, në krah të kryetarit Vangjel Dule u ul në të majtë kryeministri Rama dhe në të djathtë numri dy i opozitës, Paloka. Vangjel Dule tha se mesin e artë e gjen tek mbrojtja e parimeve.

“As për të konsumuar pushtet nuk jemi mbledhur dhe as në paradhomën e pushtetit të ardhshëm ne nuk presim”, deklaroi Dule.

Opozita i kërkoi PBDNJ-së të qëndrojnë bashkë për të mbrojtur dy shtylla të demokracisë. “Është një moment kur ne duhet të mbrojmë vendin nga një tjetër akt që mund të sjellë errësirë totale në vend, kapjen e drejtësisë; dhe të sigurojmë votën e lirë në zgjedhjet që do të vijnë”, deklaroi Paloka.

Vangjel Dule i kërkoi të njëjtën gjë kryeministrit Rama, kur të dy folën për sistemin e drejtësisë. “Struktura që kemi nuk funksionon, është tërësisht e kapur dhe e korruptuar”, tha Rama.

“Ne besojmë se është sistemit politik ai që ka krijuar problemet e vazhdueshme në drejtësi dhe nuk mund të ketë shëndoshje të sistemit politik nëse nuk garantohet vota e lirë”, tha Dule.

Nga qëndrimi i kryeministrit u duk qartë se palët janë shumë larg kompromisit. “Sot që është e shtunë, propozo, propozo, propozo. 88, 88, 88. Si është e mundur që 88-n jo vetëm ne por e gjithë bota e lexon ndryshe dhe vetëm PD ka një lexim tjetër”, u shpreh Rama.

Por Dule thotë se me vullnet dhe dialog gjithçka mund të zgjidhet. “Deri më 21 korrik, nëse ekziston vullneti politik mund të bëhet jo vetëm reforma në drejtësi në Shqipëri, por edhe çështja palestineze do të zgjidhej”, tha Dule.

Top Channel