Treni rikthehet në Tiranë falë projektit për 1.4 milionë pasagjerë në vit

30/06/2016 00:00

Në Kashar përfundon rrugëtimin e tij treni për pasagjerët që duan të shkojnë në kryeqytet. Me projektin e ri të linjës Tiranë-Durrës, stacioni kryesor do të jetë pranë kthesës së Kamzës, ndërsa hekurudha do të vazhdojë më tej për t’u lidhur me bulevardin e ri, ku do të ketë një tjetër stacion.

Ministria e Transportit është në mbyllje të bisedimeve me Bashkinë e Tiranës me qëllim rregullimin e projektit të hekurudhës dhe sjelljen e linjës brenda në kryeqytet.

“Është krijuar mundësia dhe pritet finalizimi i shtesës së këtij projekti me një linjë të lehtë treni, nga terminali publik i pasagjerëve në Kashar për në ish-stacionin e trenit në Tiranë”, tha Krislen Keri, drejtori i projekteve në MTI.

Gjurma do të jetë ajo e kaluara, me disa devijime të vogla, ndërsa linja nga Kashari deri në Tiranë do të shërbejë vetëm për pasagjerë. Projekti i rindërtimit të hekurudhës Tiranë-Durrës, me degëzim Aeroportin e Rinasit, pritet të ndihmojë në transportin e rreth 1.4 milionë qytetarëve në vit dhe 240 mijë ton mallrave.

Ministria e Transportit synon të lehtësojë trafikun rrugor mes dy qyteteve më të mëdha në vend. Zbatimi i projektit në terren është parashikuar në 3 vite që nga sigurimi i plotë i fondeve prej rreth 86.4 milionë eurosh, nga të cilat janë garantuar falas nga BERZH plot 34.5 milionë euro.

Qeverisë i duhet të vihet në lëvizje për të siguruar financimin për pjesën tjetër. Paratë do të përdoren për trasenë hekurudhore dhe rindërtimin e stacioneve nga Durrësi deri në Tiranë.

Top Channel