Rusi-NATO, bisedime pas Samitit të Varshavës për rindërtimin e besimit

30/06/2016 00:00

Rusia pranoi mbajtjen e bisedimeve me NATO-n pas samitit të aleancës në Varshavë muajin që vjen, teksa të dyja palët do të përpiqen të sheshojnë tensionet ushtarake mes tyre, të përflakura nga kriza e Ukrainës.

NATO e mbajti në muajin prill takimin e parë zyrtar në gati dy vite me të dërguarin e Moskës, por bisedimet e atëhershme pak e zbutën ngërçin e krijuar. Franca është mes zërave që këmbëngulën për një tjetër takim, me shpresën e rindërtimit të besimit mes palëve.

“Rusia e dha pëlqimin e saj, por do të donte që takimi të zhvillohej pas samitit të Varshavës, në mënyrë që të ketë kohë të shqyrtojë vendimet e marra atje”, tha Jean-Marc Ayrault, ministër i Jashtëm i Francës.

Sipas Ayrault, Parisi zyrtar dëshiron që samiti të tregojë solidaritetin mes aleatëve, por edhe transparencë ndaj Rusisë përmes dialogut.

“Ne nuk duam që samiti i Varshavës të jetë një samit përplasjesh, kjo është e sigurtë”, tha më tej Ayrault.

Në takimin e 8 dhe 9 korrikut, anëtarët e aleancës atlantiko-veriore duhet të vendosin sesi është më mirë të veprohet me Rusinë pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014. Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Gjermania kanë deklaruar që të trija se do të dislokojnë më shumë trupa në Poloni e në vendet balltike, për t’i dërguar kështu Moskës një mesazh.

Por, siç duket qartë nga deklarata e shefit të diplomacisë franceze, rruga e dialogut nuk është mbyllur dhe në fund, ajo që preferohet nga një pjesë e aleatëve është shmangia e përplasjeve.

Top Channel