Irak, eliminohet karvani i ISIS-it; 250 militantë të vdekur

30/06/2016 10:20

Një karvan makinash me militantë të Shtetit Islamik u shkatërrua nga sulme ajrore në afërsi të qytetit irakian të Falluxhas. Autoritetet irakiane thanë se militantët po përpiqeshin t’ia mbathnin ofensivës të forcave irakiane që së fundmi rimorën kontrollin e qytetit.

Karvani i Shteti Islamik u bombardua nga avionë irakianë, ndërsa ishin drejtuar për tek territori i këtij grupi në afërsi të kufirit sirian. Numri i të vrarëve nuk është ende i qartë, por mediat irakiane, bazuar në burime brenda forcave të sigurisë, thonë se bombat eleminuan mbi 250 militantë.

Të dielën, qeveria irakiane deklaroi se qyteti i Falluxhës ishte plotësisht nën kontrollin e ushtrisë pas ofensivës 5-javore dhe sipas krerëve ushtarakë, militantët e vrarë nga sulmet ajrore kishin qenë rezistenca e fundit e ISIS-it në zonë. Megjithatë, nuk ka ende konfirmim të sulmeve ajrore nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA, i cili i ka siguruar një mbështetje të jashtëzakonshme forcave irakiane në ofensivën për të rimarrë Falluxhën. Kjo fitore konsiderohet nga Iraku si një hap shumë i rëndësishëm për të çliruar territoret e pushtuara në vend nga Shteti Islamik dhe tashmë kanë nisur zërat për ofensivën e radhës ndaj Mosulit, një tjetër qytet i madh në Irak që kontrollohet nga ISIS-i.

Analistët thonë se problemi kryesor i Irakut vazhdojnë të jenë fondet për luftën në mes të krizës ekonomike që po kalon. SHBA ka premtuar një fond prej 2.7 miliardë dollarësh për ushtrinë irakiane që të blejë armë dhe të mirëmbajë avionët luftarakë, pasi vendi nuk po përpiqet t’i bëjë ballë uljes së ndjeshme të çmimit të naftës që është eksporti më i madh i Irakut.

Top Channel