Britani, kreu i laburistëve humbet mocionin e mosbesimit. Pritet largimi i tij

28/06/2016 00:00

Udhëheqësi i laburistëve britanikë, Jeremy Corbyn nuk pritet të jetë më i tillë pas kësaj të marte, teksa ka humbur mocionin e mosbesimit ndaj tij, i cili është miratuar në shumicë të theksuar nga parlamentarët laburistë me 172 vota pro dhe 40 kundër.

Edhe pse mocioni nuk është detyrues, ai u fut për votim pas dorëheqjes së disa prej anëtarëve të kabinetit hije të opozitës britanike, pasi më herët i ishin bërë thirrje për dorëheqje. Por, aleatët e Corbyn janë shprehur se kritikët e tij duhet të ndërmarrin nismën e një gare formale për udhëheqjen e laburistëve, nëse vërtet duan ta sfidojnë atë.

Kancelari në hije, John McDonnel tha se Corbyn “nuk do të shkojë askund”, duke kritikuar kritikët e tij se po përpiqen “të shkatërrojnë demokracinë”. Dorëheqjet e fundit nga ekipi udhëheqës i Corbyn përfshijnë edhe atë të ministrit në hije të Drejtësisë, Andy Slaughter, ndërsa një figurë e lartë e një qeverie lokale laburiste i ka kërkuar tashmë Corbyn të largohet.

Dave Sparks, këshilltar në Dudley dhe ish-kreu i Shoqatës së Qeverive Lokale, paralajmëroi se nëse Corbyn nuk largohet, atëherë do të jetë Partia Laburiste ajo që do ta rrëzojë atë. Ai tha për “BBC”-në se, nëse nuk ndryshohet udhëheqësia dhe kursi i ndjekur prej tij, atëherë partia do të hedhë sytë nga mbështetësit e saj “në zhdukje” në Angli, ndërkohë që duket se janë shkrirë totalisht në Skoci.

Corbyn u përball me thirrjet për dorëheqje pas një “stuhie” takimesh në Dhomën e Përfaqësuesve gjatë së hënës, ku më shumë se 20 anëtarë të kabinetit të tij hije dhe thuajse po aq ministra të rinj u larguan, duke ngritur pikëpyetje mbi performancën e tij gjatë referendumit mbi qëndrimin apo largimin nga BE-ja, si dhe aftësitë e tij për të udhëhequr partinë.

Dama (zonjë e moshuar) Margaret Hodge, deputetja laburiste që organizoi edhe tryezën për mocionin e mosbesimit, i tha Parlamentit se takimi i Partisë Laburiste kishte qenë “i jashtëzakonshëm”.

“Nuk mund ta besoj forcën e ndjenjës së refuzimit aq të madh të Jeremyt si lideri ynë, si dhe lutjen ndaj tij që të marrë në konsideratë pozicionin e tij për t’u larguar me dinjitet”, tha ajo. Megjithatë, një prej aleatëve të Corbyn, e emëruar së fundi si Sekretare në hije e Shëndetësisë, Diane Abbott tha se ky mocion mosbesimi “nuk ka asnjë kuptim”.

“Nuk e zgjedhin deputetët e Partisë Laburiste udhëheqësin e tyre, por partia”, tha ajo gjatë kësaj të marte. “Mendoj se është tepër zhgënjyese, që kolegët tanë zgjodhën të mbajnë këtë cirk duke mos dashur një udhëheqës të zgjedhur, sepse në fakt nuk janë të sigurtë nëse zgjidhen të tillë. E vetmja mënyrë për të zgjidhur këtë problem është të mbahen zgjedhje për kreun e partisë”.

Top Channel