Aksident me pasojë vdekjen në Vlorë; plagosen edhe 7 persona  

28/06/2016 08:30

Një 22-vjeçar humbi jetën në një aksident të ndodhur në orën 7 e 30 minuta të kësaj të marte në aksin rrugor Vlorë-Fier. Shtatë bashkëudhëtare të tij kanë marrë dëmtime.

Ngjarja ndodhi kur automjeti tip furgon për transport mallrash me targa “AA 050 EK” është përplasur me trafik-ndarësen pas çarjes së gomës së parë. Kjo shkaktoi humbjen e ekulibrit e më pas përplasjen fatale që i ka marrë jetën drejtuesit të mjetit nga Fieri.

Sipas policisë, në afërsi të Novoselës, gjatë ecjes, goma e krahut të pasagjerit ka shpërthyer dhe për shumë metra mjeti ka ecur anash duke u përplasur me trafik-ndarësen e cila ka penguar rëndimin e pasojave të këtij aksidenti.

Drejtuesi i mjetit është goditur me forcë në mungesë të rripit të sigurisë, ndërsa 7 persona që ndodheshin pa asnjë masë sigurie në mjet janë plagosur.

Pas aksidentit ishin kalimtarët që u kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurve e më pas mbërriti edhe policia që ka ndihmuar të lënduarit.

Të gjithë janë dërguar më pas me ambulancë në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që janë marrë në pyetje edhe nga policia.

FOTO GALERI
1/5
Aksident me pasojë vdekjen në Vlorë

Top Channel