“Brexit” përçan laburistët, shkarkohet kryediplomati në hije. Mocion kundër Corbyn

26/06/2016 00:00

Partia Laburiste në opozitë është përfshirë në atë që po konsiderohet si “luftë civile” brenda radhëve të saj, pas shkarkimit gjatë natës të ministrit në hije të Jashtëm, Hilary Benn, i cili ka kritikuar qëndrimin e mbajtur nga udhëheqësi i laburistëve Jeremy Corbyn në fushatën e referendumit për daljen ose jo të Britanisë nga BE-ja.

Pas një telefonate në mesnatë mes dy drejtuesve të lartë të laburistëve, udhëheqësi Jeremy Corbyn i ka thënë ministrit të tij të Jashtëm se “kishte humbur besimin tek ai”, pas sugjerimeve se ky i fundit po organizonte një komplot për largimin e Corbyn nga posti i kryetarit të laburistëve.

Shkarkimi i papritur dhe dramatik i kryediplomatit në hije të laburistëve pritet të pasohet nga dorëheqja masive e gjysmës së kabinetit hije të opozitës, në shenjë proteste.

Shumë ministra të kabinetit hije i kërkojnë udhëheqësit të tyre të bëjë gjënë e duhur, duke dhënë dorëheqjen njësoj si kryeministri pas rezultatit katastrofik në referendum, pasi qëndrimi “as mish, as peshk” i Corbyn ka çuar në këtë rezultat fatal për të ardhmen e vendit, argumentojnë udhëheqësit e tjerë laburistë të opozitës, pas votës masive për largimin në bastionet e opozitës në verilindje të Anglisë.

Disa deputetë britanikë kanë kërkuar mocion mosbesimi ndaj udhëheqësit të tyre. Mosmarrëveshjet mes Corbyn dhe Benn datojnë që nga koha e konfliktit në Siri, pas fjalimit brilant të Hilary Benn për sulmet ajrore, duke mbështetur kryeministrin Cameron dhe kundërshtuar udhëheqësin e tij.

Të hënën mblidhet Parlamenti, ndaj dhe deputetët dhe drejtuesit e lartë laburistë do të mblidhen për të diskutuar privatisht thirrjen për mocionin e mosbesimit, ku mbështetësit e tij shpresojnë që të hidhet në votim të fshehtë ditën e martë.

Top Channel