PD: Investitorët e mëdhenj kanë braktisur vendin

24/06/2016 14:30

Partia Demokratike, me anë të një reagimi me Sekretarin Organizativ Enno Bozdo, deklaroi se “si rezultat i rritjes së taksave dhe përkeqësimit të klimës së biznesit, investitorët e mëdhenj kanë braktisur vendin”. 

“Investimet e huaja direkte kanë rënë këtë vit me 40%. Dhoma Amerikane dhe ajo Gjermane e Tregtisë shprehen se klima e biznesit është përkeqësuar në pikiatë.
FMN-ja deklaron se politika e taksave të larta progresive ka dështuar plotësisht dhe koncesionet korruptive i kanë marrë frymën ekonomisë. Ndërsa Rama mburret me një projekt dhe një investitor që i takon qeverisë të mëparshme“, deklaroi Bozdo.

Ai shtoi se “në sektorin e hidrokarbureve, “Bankers“ u detyrua nga kjo qeveri të ndërpresë prodhimin dhe në fund të largohet. Shumë multinacionale të tjera kanë mbyllur zyrat dhe po largohen me shpejtësi nga Shqipëria. Ndërsa inkurajojmë Shell-in dhe e mbështesim plotësisht për investimin dhe besimin që ka në suksesin e projektit, theksojmë se vetëm largimi i Ramës do të mundësojë ardhjen e investitorëve dhe kthimin e Shqipërisë në një vend tërheqës për investimet e huaja“.

Top Channel