Reforma, nis shqyrtimi i ligjeve; procesi pa opozitën

20/06/2016 00:00

Opozita mungoi këtë të hënë në komisionin për reformën në drejtësi, por kjo nuk ka penguar mazhorancën të ecë përpara me axhendën, e cila tani përfshin miratimin e 7 projektligjeve. Pa këto projektligje, ndryshimet kushtetuese janë të pazbatueshme.

“Çdo punë që bën ky komision nuk është gjë tjetër veçse një veprim tjetër i njëanshëm, vetëm e vetëm për të krijuar një situatë force në një situatë negocimi”, deklaroi nënkryetari i komisionit, Oerd Bylykbashi.

“Le t’u ngelet në çmimin e tyre, në zgjedhjen e tyre. Por mendoj se është një zgjedhje e gabuar ky bojkot i opozitës ndaj komisionit të posaçëm parlamentar”, tha nga ana tjetër kryetari Fatmir Xhafaj.

Kalendari i miratuar parashikon 15 korrikun si ditën e fundit për miratimin e të 7 projektligjeve. Por a pengon miratimi i tyre pa opozitën vazhdimin e negociatave?

“Në atë pjesë që mund të ketë ndryshim për efekt të këtij negocimi, apo nëse do ketë rezultat pozitiv të këtyre negociatave të mundshme, atëherë pa dyshim që siç do ta ndryshojmë në Kushtetutë do të mund të ndryshojmë 1, 2 apo 3 nene në projektligj”, nënvizoi Xhafaj.

“Puna e tij mund të shndërrohet në pëlhurën e Penelopës. Vetë e pranojnë që do të bëhet dhe do të zhbëhet. E vetmja rrugë është të biem dakord mbi çështjen e vetme dhe në bazë të saj të hartojmë të gjitha ligjet”, tha nga ana e tij Bylykbashi.

Projektligji i fundit i lënë për diksutim është ai i vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili përbën dhe pikën e vetme që ndan palët nga një marrëveshje për miratimin me konsnesus të reformës në drejtësi.

Top Channel