Fatura gjigante e pronave, Ahmetaj: Buxheti, i kërcënuar Strasburgu

20/06/2016 00:00

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj paralajmëroi se buxheti mund të përballet me një faturë marramendëse nga dënimet e Gjykatës së Strazburgut nëse nuk do t’i japë një zgjidhje përfundimtare çështjes së pronave.

“Mënyra se si është menaxhuar çështja sot mund të sjellë një risk nga Strazburgu i cili mund të kalojë, nëse ne nuk bëjmë gjënë e duhur, në mbi 1 miliard dollarë në 2-3 vitet e fundit. Ky do të jetë risku më i madh që mund të kalojë 99 për qind të qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Ahmetaj.

Qeveria miratoi një ligj të ri për pronat, i cili sipas saj, i jep fund rrezikut financiar nga vendimet e Strazburgut. Por ligji kontestohet nga pronarët dhe është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, e cila e ka ende ne proces shqyrtimi.

“Ligji i pronave i bërë nga qeveria, i kaluar në Parlament dhe që aktualisht ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, nuk është perfekt por bën zgjidhjen më të mirë të mundshme duke adresuar këtë risk”, nënvizoi Ahmetaj.

Beteja e fortë në Kushtetuese është de fakto edhe një përplasje mes dy institucioneve më të larta të shtetit, qeverise dhe presidentit.

Qeveria kërkon hyrjen sa më parë në fuqi të ligjit, i cili sipas saj do të shmangte faturën e madhe nga vendimet e Strazburgut, ndërsa presidenti e konsideron ligjin si antikushtetues dhe që shkel të drejtat e pronarëve, duke qenë një nga kundërshtarët më të fortë të tij.

Top Channel