Itali, Lëvizja 5 Yjet, fitore madhore në zgjedhjet vendore

20/06/2016 00:00

Pas balotazhit të zhvilluar ditën e dielë, Italia do të ketë kryebashkiakë që shënojnë një kthesë të ndjeshme në politikën tradicionale. “Lëvizja Pesë Yjet” e themeluar nga ish-aktori komik, Beppe Grillo, fitoi në 19 ndër 20 komunat ku u paraqit me kandidatë.

Në kryeqytet fitoi thellë me 67.2% të votave Virginia Raggi, 37-vjeçarja (38 vjeç më 12 korrik) që do të jetë gruaja e parë në krye të administratës së Romës.

E papritur ishte edhe fitorja e një tjetër kandidateje të “Lëvizjes Pesë Yjet” në Torino, ku tradicionalisht ka fituar e majta. 32-vjeçarja Chiara Appendino fitoi me 54.5% të preferencave mbi kryebashkiakun aktual, Piero Fassino, një prej shtyllave të Partisë Demokratike. Kjo parti arriti të ruajë pushtetin në Milano dhe në Bolonja, ndërsa në Napoli u rizgjodh ish-gjyqtari i njohur Luigi de Magistris.

Ky turn elektoral, ku pjesëmarrja ishte 50.54%, dëshmoi një rënie shumë të ndjeshme të së majtës italiane. E pohon vet kryeministri Matteo Renzi, i cili deklaroi se kjo është një humbje pa justifikime lehtësuese. Ai vendosi të mbledhë përpara kohe, që në datën 24 qershor, organin drejtues të partisë së tij.

Rezultatet e arritura mund t’i japin “Lëvizjes Pesë Yjet” një shtysë të mirë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në 2018-n. Zgjedhjet lokale në Itali u mbajtën në dy raunde, i pari dy javë më parë dhe i dyti të dielën që sapo kaloi.

Zonja Raggi, një avokate që nuk njihej deri para pak muajsh, ishte pranë fitores së dy të tretave të votave, duke mposhtur kështu kandidatin demokrat Roberto Giachetti.

“Do të jem kryebashkiakja e të gjithëve. Do të rivendos legalitetin dhe transparencën në institucionet e qytetit pas 20 vitesh qeverisjeje të dobët. Me ne ka nisur një epokë e re”, tha Raggi. 37-vjeçarja do të gjejë megjithatë një bashki të mbytur në borxhe, mbi 13 miliardë euro, që është dhe dyfishi i buxhetit vjetor të institucionit.

Nga ana tjetër, romanët janë të frustruar nga një sërë problemesh që kanë kapluar qytetin, si mbeturinat në zona të ndryshme dhe deficenca në transportin publik dhe strehimin.

Top Channel