Turizmi, suficit prej 67 mln eurosh. Bien shpenzimet ditore të turistëve të huaj

19/06/2016 00:00

Sipas Bankës së Shqipërisë, bilanci i turizmit ka rezultuar pozitiv për vendin tonë në tremujorin e parë të vitit 2016. Në raportin e bilancit të pagesave, të publikuar së fundmi, rezulton se shqiptarët kanë shpenzuar për udhëtime jashtë vendit 216 milionë euro në këtë tremujor.

Nga ana tjetër, të huajt që kanë udhëtuar drejt Shqipërisë kryesisht si turistë kanë shpenzuar 283 milionë euro. Në total, bilanci është me një suficit prej 67 milionë eurosh.

Duke parë potencialin, autoritetet synojnë të stimulojnë zgjerimin e produkteve që ofrohen.

“Kemi nevojë të adresojmë kohëqëndrimin. Pra, vërtet presim turistë, të cilët edhe shpenzojnë në Shqipëri, por duhet të rrisim gamën e shërbimeve dhe atraksioneve, që të qëndrojnë disi më gjatë. Nevojitet të kalojmë përtej natyrës, detit e diellit, edhe te pjesa historike e kulturore, apo kulinaria. Duhet të zgjerojmë gjithashtu edhe sezonin turistik”, tha Ervin Mete, zv.ministër i Zhvillimit Ekonomik.

Nga tipologjia, udhëtarët ndahen për qëllime biznesi dhe për turizëm. Ndërkohë, me rritje është si numri i të huajve në hyrje, ashtu dhe i shqiptarëve që udhëtojnë jashtë shtetit, përkatësisht me 27 dhe 21 për qind.

Shpenzimet dhe ditëqëndrimi mesatar vlerësohen në rënie për të dyja grupimet kryesore, për qëllime biznesi dhe personale.

Top Channel