Trump pro armëve, sulmon Obaman dhe Clinton

18/06/2016 00:00

Njeriu që përgatitet të përfaqësojë republikanët në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, Donald Trump, nuk u përmbajt gjatë një tubimi në Teksas, por përdori një sharje për autorin e masakrës së Orlandos.

Nëse njerëzit në atë klub do të mbanin pistoleta në brez e në kyçin e këmbës, tha Trump, do të kishin qenë në gjendje ta vrisnin kopukun.

Miliarderi Nju Jorkez iu rikthye në këtë mënyrë debatit të armëmbajtjes e kritikoi thirrjet e kandidates presidenciale demokrate, Hillary Clinton dhe presidentit Barack Obama për ashpërsimin e kontrollit mbi armët.

Nuk e bëjnë armët terrorizmin, ishte argumenti i tij, por njerëzit, faji nuk është i armëve. Pas vrasjes së 49 personave në “Pulse Club” të Orlandos dhe tragjedisë se shkollës fillore Sandy Hook, demokratët kanë kërkuar ndalimin e armëve gjysmë-automatike, si ato të përdorura në të dyja rastet.

Jashtë vendit ku zhvillohej tubimi, një grup protestuesish sfiduan pretendimet e manjatit se e ka mbështetur gjerësisht komunitetin gay, i cili ka përkrahur përgjithësisht kandidatët demokratë që shfaqen si me favorizues të martesave mes personave të të njëjtit seks.

Top Channel