Xhihadisti që vrau çiftin e policëve, “besnik” ndaj urdhrit të ISIS

14/06/2016 00:00

Agresori, që vrau çiftin francez të policëve në shtëpinë e tyre në periferitë e Parisit, ka vepruar në zbatim të urdhrit të të ashtuquajturit “Shtet Islamik”, e që specifikisht ka qenë “të vriten të pafetë”. Ky është konkluzioni i zyrtarëve të hetuesisë.

Larossi Abballa, i cili mbeti i vdekur më pas nga shkëmbimi i zjarrit me policinë, ka qenë besnik i udhëheqësit të ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi, shtuan më tej ata. Nga tragjedia mbetën të pajetë komandanti i policisë dhe partnerja e tij, ndërkohë që djali i tyre 3-vjeçar mbijetoi.

Shteti Islamik ka publikuar tashmë edhe një video, ku shfaqet Abballa teksa rrëfen vrasjet e kryera me thikë. Videoja e publikuar në agjencinë e lajmeve të grupit xhihadist “Amaq”, e tregon atë në shtëpinë e çiftit, përpara se policia të mësynte banesën.

Vrasësi kishte gjithashtu edhe një listë me objektiva të tjerë, përfshi këtu personazhe të famshëm, gazetarë dhe politikanë, tha prokurori i Parisit Francois Molins. Vrasjet u përshkruan nga Presidenti François Hollande si “akte terroriste”, ndërsa shtoi se Franca përballet ende me një “kërcënim të konsiderueshëm”.

Agresori u vra pas mësymjes së policisë në shtëpinë e ndodhur në “Magnanville”, rreth 55 km në Veriperëndim të kryeqytetit francez. Gjatë negociatave përpara bastisjes së policisë të hënën në mbrëmje, 25-vjeçari Abballa tha se i kishte premtuar besnikëri udhëheqësit të ISIS-it rreth 3 javë më parë.

Top Channel