Operacioni në zemër, Berlusconi zëvendëson me sukses valvulën e aortës

14/06/2016 00:00

Pas 4 orëve të kaluara në sallën e operacionit për zëvendësimin e valvulës së aortës, Silvio Berlusconi është dërguar në terapi intensive.

Gjatë ndërhyrjes kirurgjikale nuk ka pasur probleme, thonë mediet italiane, e zëvendësimi i valvulës më të rëndësishme përsa i takon pompimit të gjakut në zemër, me një valvulë biologjike të origjinës shtazore ka shkuar mirë.

79-vjeçari u shtrua më 5 qershor në spitalin “San Raffaele” nën dyshimin e atakut kardiak. Mjekët më pas diktuan problemet me valvulën, që sipas tyre mund të kishin qenë fatale. Përpara godinës ku ndodhet i shtruar “kavaljeri”, e ku më herët partnerja e tij Franceska Pasquale u shfaq duke fshirë lotët, simpatizantët kanë vendosur disa banderola me mesazhe inkurajimi.

Fëmijët e Berlusconit, sipas shtypit vendas, kanë qëndruar edhe ata në spital. Manjati i medias, i njohur veç të tjerash për shmangiet e bëra drejtësisë dhe festat e famshme “bunga bunga”, ka pësuar një atak kardiak përpara 10 vitesh, kohë kur vendosi dhe një “Pacemaker” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pajisja ishte zëvendësuar fundin e vitit që shkoi.

“Jam i shqetësuar, sigurisht – shkroi ai përpara operacionit në faqen e tij të “Facebook”-ut, – por njëkohësisht jam dhe shumë i prekur nga mbështetja dhe dashamirësia e treguar prej atyre, që më kanë ofruar mbështetjen e tyre në këto momente, përfshirë këtu dhe rivalë politikë”.

Top Channel