NATO, Stoltenberg: 4 batalione forcash shumëkombëshe në Baltik dhe Poloni

13/06/2016 00:00

Në mënyrë që të përforcohen aspektet mbrojtëse përballë kërcënimeve të Rusisë, shefi i NATO-s bëri të ditur këtë të hënë se të gjitha vendet e aleancës do të bien dakord gjatë kësaj jave për të dërguar 4 batalione shumëkombëshe në shtetet e Baltikut, por edhe në Poloni.

Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, tha se ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare do të miratojnë edhe formalisht planin e dërgimit të këtyre batalioneve, të hartuar nga planifikuesit ushtarakë të aleancës, në një takim që do të nisë punimet të martën në Bruksel.

Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia, 4 vende tashmë anëtare të NATO-s por dikur pjesë e Traktatit të Varshavës nën udhëheqjen e ish-Bashkimit Sovjetik, janë ndër vendet më të kërcënuara prej Rusisë, e kësisoj do të përforcohen secili me nga një “batalion të fuqishëm forcash shumëkombëshe”, u shpreh Stoltenberg në një konferencë për shtyp.

“Ky hap do të japë një sinjal të qartë dhe të vendosur se NATO është gjithnjë e gatshme të mbrojë cilindo aleat”, tha shefi i aleancës atlantiko-veriore. Ai tha më tej se batalionet në fjalë do të komandohen nga udhëheqësit ushtarakë të NATO-s dhe do të dërgohen mbi baza alternimi apo rotacioni, duke mos qenë të vendosura përherë në vendet pritëse.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Gjermania janë angazhuar zyrtarisht se do të veprojnë si kombet bazë përbërëse të 3 prej batalioneve, ndërsa për të katërtin ende nuk është mësuar se kush do të udhëheqë.

Top Channel