Referendumi mbi “Brexit” përplas dy nga qytetet më të lashta britanike

07/06/2016 00:00

Cambridge dhe Peterborough janë më pak se 70 km larg njëri-tjetrit, por kur bëhet fjalë për referendumin britanik, dy qytetet e lashta angleze janë shumë larg në qëndrimet e tyre. Cambridge, i famshëm për universitetin 800-vjeçar, mbështet fuqimisht anëtarësimin në BE, ndërsa Peterborough është kthyer në “euroskeptik” për shkak të numrit të lartë të emigrantëve në qytet.

Shtresa akademike e Cambridge, përfshirë këtu studiuesit, shkencëtarët apo novatorët, i druhen faktit se mund të humbasin të drejtën për të punuar në Britani, nëse vendi voton për të lënë bllokun.

“Largimi nga BE-ja ka trembur shumë banorë të Cambridge, përfshirë këtu njerëz që punojnë në nivele të larta, në spitale apo universitete. Ata më së shumti kanë frikën e ekonomisë”, tha Julian Huppert, ish-deputet.

Edhe për kompani të mëdha farmaceutike, “BREXIT” do të ishte shkatërrues.

“Nëse do të votohet pro referendumit, ne do të humbasin aftësinë për të hyrë në tregun e përbashkët me Europën”, tha David Williams, shef ekzekutiv i një kompanie farmaceutike.

Por për fqinjët e Peterborough, kufijtë e lirë me Europën janë një problem i madh. Sipas banorëve, lëvizja e emigrantëve drejt Britanisë, kryesisht atyre nga Europa Lindore, ka prishur shumë balanca në qytet, në shërbimet publike, apo edhe në tregun e punës.

Stewart Jackson, pjesëtar konservativ në Parlament, edhe njëherë theksoi qëndrimin e tij kundër kryeministrit.

“Pjesa më e madhe e britanikëve mbështesin stilin australian të qeverisjes, ku duan të kenë kontroll të plotë mbi kufijtë e tyre. Fatkeqësisht, David Cameron ka dështuar në këtë pikë”, tha Stewart Jackson.

Top Channel