Presidenti kinez: SHBA dhe Kina të ulin diferencat

06/06/2016 12:30

Presidenti kinez Xi Jinping ka deklaruar se Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të menaxhojnë diferencat për çështjet e rëndësishme dhe të thellojnë besimin reciprok, si dhe dialogun dypalësh në nivele të larta.

“Diferencat mes Kinës dhe Amerikës janë normale, por përsa kohë të dyja palët i reduktojnë ato sa u takon çështjeve të rëndësishme dhe respekti e besimi reciprok ekzistojnë, atëherë shqetësimet mund të zgjidhen”, ka deklaruar Xi në ceremonin e hapjes të Dialogut Strategjik dhe Ekonomik Kinë-SHBA.

Ai ka theksuar se oqeani Paqësor, që lag të dy kontinentet, nuk duhet të kthehet në një arenë rivaliteti, por në një platformë ku të dyja palët duhet të punojnë bashkarisht.

“Kina dhe SHBA kanë interesa të përbashkëta në rajon, ndaj dhe duhet të mbajnë dialogje sistematike, të bashkëpunojnë më shumë dhe t’u bëjnë ballë sfidave. Së bashku mund të ruajmë prosperitetin dhe stabilitetin në rajon dhe të kultivojmë rrethe të përbashkëta miqësie”, ka shtuar Xi.

Ai shtoi se Kina ndjek me fqinjët e saj diplomaci të bazuar në sinqeritet, fitim të përbashkët dhe gjithëpërfshirje, dhe gjithnjë ka qenë e angazhuar në nxitjen e paqes në rajonin e Azisë së Paqësorit.

Top Channel