Korea e Veriut kërkon të afrohet me Kinën

02/06/2016 08:10

Presidenti i Kinës, Xi Jinping theksoi rëndësinë e raporteve miqësore me Korenë e Veriut, gjatë një vizite të një zyrtari të lartë nga Pjong-jangu në Pekin. Vizita e nënkryetarit të Partisë së Punëtorevë Ri Su Jong në Kinë shihet si një përpjekje për të riparuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Këto raporte janë dëmtuar konsiderueshëm nga aktiviteti ushtarak i Koresë së Veriut, sidomos testet e raketave.

Në anën tjetër, i dërguar koreanoverior solli një mesazh nga lideri Kim Jong Un, sipas të cilit, Korea e Veriut nuk do t’i japë fund programit të saj bërthamor. Ri Su Jong gjithashtu tha se Korea e Veriut do të vazhdojë progresin e politikave ekonomike përkrah zhvillimit bërthamor. Mediat shtetërore kineze nuk i përmendën komentet bërthamore, por shkruan se në takim u fol për dëshirën e liderit koreno-verior që të ketë marrëdhënie më të ngushta me Kinën.

Mediat cituan fjalët e presidentit kinez Xi Jinping, i cili konfirmoi politikën kineze në gadishullin korean, e cila është gjakftohtësi dhe përmbajtje, komunikim gjithnjë më në rritje dhe stabilitet rajonal.

Kina vazhdon që të jetë aleati më i madh i Koresë së Veriut, pavarësisht se Pekini respekton sanksionet e OKB-së ndaj vendit të izoluar komunist për testimet e raketave dhe testet bërthamore. Pikërisht këto të fundit kanë shqetësuar Kinën, e cila vërtet zhvillon tregti dhe ka raporte me Korenë e Veriut, por nuk mund të pranojë që klubit global të zotëruesve të armëve bërthamore t’i shtohet një anëtar i ri, mbi të gjitha kaq i papërgjegjshëm sa Korea e Veriut.

Top Channel