Kusht i kreditorëve, Greqia nis privatizimin e 71 mijë aseteve shtetërore

01/06/2016 00:00

Greqia ka filluar programin më të madh të privatizimeve që është bërë ndonjëherë në Europë, me të paktën 71 mijë asete të pasurisë së saj shtetërore.

Lajmi komentohet nga e përditshmja britanike “the Guardian”, që thekson se qeveria e majtë e kryeministrit Tsipras, e varur tërësisht nga ndihmat dhe e pamundur të trokasë në tregje, po plotëson nën presion një nga kushtet kryesore të kreditorëve, siç janë privatizimet që parashikohet të sjellin 50 miliardë euro për pagesën e borxheve dhe rikapitalizimin e bankave.

Në listën e shitjes, që do të publikohet së shpejti, janë qindra ishuj grekë, hotele, vende historike, plazhe, fusha golfi, ambiente të lojërave olimpike, deri edhe shtëpi të lagjes së Pllakës poshtë Akropolit.

Por me gjithë rënien e çmimeve të këtyre aseteve pas 7 vitesh krizë, rezistenca ideologjike, mungesa e interesit të investitorëve dhe pengesat burokratike, shitjet janë të vogla dhe kanë sjellë në arkat e shtetit vetëm 3.5 miliardë euro, kryesisht nga privatizimet e 14 aeroporteve të vendit dhe shitjen e aksioneve të porteve të Pireut dhe Selanikut.

Programi është vënë në epiqendër të kritikave, por siç shprehet kreu i Fondit të Privatizimeve, Stergios Pitsiorlas, “nëse duam të ndihmojmë punëtorët, si një parti vërtet e majtë, të mos ulim pagat dhe pensionet dhe të mos rrisim taksat, duhet të gjejmë parà nga diku, duhet të zhvillojmë ekonominë tonë”.

Ndërkohë, qeveria greke ua ka bërë të qartë kreditorëve se nuk do të pranojë shitjen e disa kompanive shtetërore që janë fitimprurëse, si Shërbimi i Ujësjellësit dhe Shërbimi i Entit Elektrik.

Madje, qeveria ka ulur me 15% faturat e energjisë elektrike për të gjithë ata konsumatorë që paguajnë në afat. Një lëvizje që ka shkaktuar reagime pozitive në ditën e parë të muajit qershor, kur grekët kanë parë një rritje të re të çmimeve në qindra artikuj, si rezultat i rritjes së TVSH-së me 1%, një nga masat shtrënguese të aprovuara nën presionin e kreditorëve.

Top Channel