Britani, zbulohet makina historike e shkëmbimit të mesazheve

29/05/2016 00:00

Një makinë historike, e përdorur për shkëmbimin e mesazheve sekrete mes Hitlerit dhe gjeneralëve të tij, është harruar në një hangar në Essex të Britanisë.

Vullnetarë nga Muzeu kombëtar i Informatikes në “Bletchley Park” përdorën “eBay”-n për të rënë në gjurmët e makinës “Lorenz”, e cila ishte nxjerrë për 9.5 paundë si aparat telegrami.

Muzeu tani po përgatitet të kërkojë motorin e saj, një pjesë kyçe e pajisjes që mungon. Teleshkruesi mund të jetë përdorur për të dërguar mesazhe të thjeshta në gjermanisht gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ato kaloheshin pastaj në një tjetër mekanizëm me 12 ingranazhe lëvizëse, të cilat krijonin kodin. Sipas ekspertëve, “Lorenz”-i ishte edhe më i madh e i famshëm sesa “Enigma”. Për “Enigmën” kanë dëgjuar të gjithë – thonë ata, – por “Lorenz”-i ishte ai që përdorej për komunikimet strategjike.

“Enigma” njihet në historinë e kriptografisë si makinë shifrore e përdorur për kodimin dhe çkodimin e mesazheve sekrete. Ajo hyri në treg në 1920-n, u përvetësua dhe u përdor në ushtri dhe shërbimet e fshehta shtetërore nga shumë kombe, por më tepër nga Gjermania naziste para dhe gjatë luftës.

Top Channel