Fronti anti Trump, pretendenti për zv.president: Më kujton “Kristallnacht”

25/05/2016 00:00

William F. Weld, dy herë guvernator i zgjedhur republikan i Massachusettsit të konsideruar bastion demokratësh, për herë të fundit i ka hyrë një fushateje të paraprakeve republikane në vitin 2006, kur në lojë ishte posti i guvernatorit të Nju Jorkut.

Tani, Weld shpreson të marrë një biletë kombëtare si i nominuari për zëvendëspresident i Partisë Libertariane dhe është hedhur në sulm. Gjatë të parës intervistë që prej pranimit të ofertës së partisë së tij, Weld fshikulloi ashpër Donald Trumpin dhe thirrjet e manjatit për të mbledhur e deportuar nga vendi 11 milionë emigrantët pa dokumente të rregullta.

“Kur dëgjoj të tilla deklarata, më kumbon në vesh zhurma e xhamave që thyhen në Kristallnacht, në getot e Varshavës dhe të Vjenës, sinqerisht”, tha Weld.

70-vjeçari nuk është kritik ndaj gjithçkaje që mishëron i nominuari i supozuar republikan. “Nuk e konsideroj veten pjesë të lëvizjes ‘antiTrump’”, u kujdes të sqaronte ai, duke e lavdëruar madje suksesin e paparashikuar të Trumpit në zgjedhjet paraprake.

“Nuk është se më tmerron çdo gjë që ai bën. Por janë disa pozicione që ai njeri merr, të cilat të vënë në mendime”. I pyetur nëse beson se Donald Trumpi është fashist, Weld përgjigjet se analogjia me natën e kristaltë evokon periudhën naziste të Gjermanisë dhe “pikërisht kjo është ajo që më shqetëson”, – shton politikani veteran. “Ajo e tatëpjeta e rrëshqitshme”.

Në fund, nuk e etiketon Trumpin as si fashist e as si nazist, ama kërkon të bëhet shumë kujdes me përjashtimin e njerëzve për shkak të statusit të tyre si pjesëtarë të një grupi të caktuar.

Top Channel