Siri, militantët e ISIS shkatërrojnë flotën e helikopterëve rusë

24/05/2016 00:00

Atë që fillimisht e raportoi një agjenci lajmesh e lidhur me ISIS-in, “Amaq”, tashmë e konfirmojnë edhe pamjet më të fundit satelitore, pavarësisht mohimit të ushtrisë ruse.

Dëmet në një prej bazave strategjike ajrore në qendër të Sirisë, e përdorur nga forcat ruse, janë mëse të mëdha dhe përfshijnë 4 helikopterë dhe 20 kamionë të shkatërruar, pikërisht nga një sulm i të ashtuquajturit Shtet Islamik. Shkatërrimi i tyre besohet të ketë ardhur pas një serie zjarresh brenda bazës “T4” gjatë javës së kaluar, ndërkohë që shkaku i zjarreve është ende i pakonfirmuar. E gjitha kjo sugjerohet nga imazhet e shpërndara nga kompania e kundërzbulimit “Stratfor”.

Ushtria ruse e ka mohuar gjithsesi t’i ketë humbur helikopterët në bazën e saj si pasojë e një sulmi të ISIS.

“Djegia e 4 helikopterëve me natyrë sulmuese rusë dhe 20 kamionëve të mbushur me raketa brenda aeroportit ‘T4’ në lindje të provincës së Homsit ka ardhur si pasojë e një zjarri”, thuhej në raportin urgjent të bërë prej tyre, gjë që shkaktoi edhe spekulimet se zjarri mund të kishte qenë edhe aksidental.

Ndërkohë, në të njëjtën ditë, ISIS publikoi imazhe, të cilat sipas tyre tregojnë një prej luftëtarëve xhihadistë, që kishte lëshuar një raketë “Grad” drejt bazës “T4”, e njohur gjithashtu edhe si baza “Tiyas”.

Por, analisti ushtarak i “Stratfor”, Sim Tack shprehet se “nga ajo që shohim prej imazheve, së pari nuk kemi të bëjmë me një shpërthim aksidental, siç përpiqen ta sheshin disa zëra. Pamjet tregojnë qartazi se ka pasur disa burime të ndryshme shpërthimesh përreth aeroportit, ndaj dhe duket se rusët kanë pësuar një goditje të rëndë”.

“Atyre iu është shkatërruar një njësi e tërë helikopterësh luftarakë, plot 4 të tillë, sikurse pati edhe disa dëmtime të avionëve sirianë në aeroport, por edhe në depot logjistike, njëra prej të cilave përdorej për të furnizuar helikopterët luftarakë me pajisje specifike”, tha më tej Tack, i cili shprehet i habitur se përse ISIS nuk e ka bërë zyrtarisht të ditur faktin që kanë qenë ata shkaktarë të këtyre dëmeve.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel