Greqi, “thriller” me avionin e pilotëve “të përgjumur” mbi Santorini

20/05/2016 00:00

Një “thriller” me një tjetër avion pasagjerësh, që fluturonte mbi ishullin e Santorinit në Greqi, ka ndodhur të enjten në mbrëmje, pikërisht kur në zonën detare midis Kretës dhe Egjiptit bëheshin kërkime për gjetjen e avionin egjiptjan.

Sipas reportazhit ekskluziv të televizionit grek “ALPHA”, një “Boeing” me 140 pasagjerë, që ishte nisur nga Franca me destinacion Kuvajtin, fluturonte mbi dy orë ndërsa askush nga qendrat e kontrollit të vendeve europiane nuk mund të komunikonte me pilotët, ndaj dhe në shtabin e NATO-s është dhënë alarmi.

Kur avioni hyri në territorin ajror të Greqisë dhe përsëri askush nuk përgjigjej, organet greke u kanë dhënë urdhër dy avionëve ushtarakë “F16” nga baza e Sudës në Kretë, të ngrihen në ajër dhe të shohin nga afër se çfarë po ndodhte.

Kontakti i parë ka qenë mbi ishullin e Santorinit, kur pilotët grekë kanë njoftuar se kolegët e “Boeing”-ut ndodheshin në sediljet e tyre dhe dukeshin sikur flinin. Avionët ushtarakë janë parë nga pasagjerët dhe stjuardesat, të cilat kanë kuptuar se diçka nuk shkonte mirë dhe kanë lajmëruar pilotët, të cilët kishin vendosur aparaturën e komunikimit në frekuencë të gabuar.

Sipas medieve të tjera vendase, qarqe të Ministrisë greke të Mbrojtjes kanë çuar një notë proteste ndaj kompanisë ajrore në fjalë, duke i kërkuar madje edhe dëmshpërblim për karburantin e harxhuar nga avionët ushtarakë grekë.

Top Channel