Kinë, disa “lojëra” bëhen edhe të rrezikshme

18/05/2016 00:00

Nuk e patën shumë të lehtë zjarrfikësit në Changchun, të shpëtonin një fëmijë të vogël të bllokuar në derën rrotulluese të një qendre tregtare. Fëmija qante, kishte dhimbje e nuk lëvizte dot. Incidenti ndodhi, kur djali i vogël ishte duke luajtur me derën në lëvizje, ndërsa e ëma nuk po i kushtonte vëmendje.

Zjarrfikësit mbërriten me shpejtësi pas marrjes së njoftimit dhe panë se, e vetmja mënyrë për ta nxjerrë fëmijën prej andej, ishte ta çmontonin derën e ta ngrinin lart. Nga e gjithë ngjarja, djali doli fatmirësisht vetëm me disa lëndime të vogla.

Lojëra të tilla janë të rrezikshme, por e tillë mund të bëhet edhe të ecësh rrugëve në gjendje të dehur. Në një tjetër zonë të Kinës, në Chichui, një burrë që kishte pirë pak si shumë përfundoi i bllokuar mes dy mureve të ngushta, nga ku nuk dilte dot.

Kur punonjësit e ndërhyrjes së shpejtë arritën ta lidhnin me litarë për ta tërhequr lart, patjetër do të kenë qenë duke menduar sesi ka arritur ai të përfundojë në hapësirën prej gati 40 centimetrash. Burri u dërgua në spitalin më të afërt për një kontroll mjekësor vetëm me disa gërvishtje në trup, por me një dhimbje koke të fortë.

Top Channel