Filipine, kandidati presidencial: Të vrasim trafikantët

08/05/2016 00:00

Kandidati kryesor për presdiencën në Filipine, kreu aktual i bashkisë së qytetit Davao, Rodrigo Duterte, vazhdon që të kryesojë sondazhet, pavarësisht deklaratave të tij për eliminim fizik të trafikantëve të drogës.

Prej kohës nofka e Duertes është “Duterte Harry”, nga personazhi kinematografik i luajtur nga Clint Eastwood dhe slogani i tij “Ndryshimi po vjen” ka tërhequr mjaft filipinas. Megjithëse grupet e të drejtave të njeriut e akuzojnë se ka lejuar grupe civilësh të armatosur që të vrasin qindra trafikantë të dyshuar droge, mbështetja e tij sa vjen e rritet.

Një tjetër nofkë mjaft domethënëse e Duartes është ndëshkuesi dhe si për ta vërtetuar këtë, 71-vjeçari ka premtuar se do të zhdukë kriminalitetin brenda gjashtë muajve të parë pasi të marrë postin e presidentit.

Në një nga deklaratat e tij më të forta, Duerta tha se kur të jetë president, filipinasit do të hapin më shumë shtëpi funeralesh dhe jo burgje, për t’u përballur me trafikun e drogës. Në një tjetër koment po kaq kontradiktor, ai tha se do të vriste edhe fëmijët e tij po të trafikonin narkotikë.

Pavarësisht habisë dhe tronditjes së klasës politike, sondazhet tregojnë se ai udhëheq me të paktën 10 pikë ndaj kandidatëve të tjerë, megjithatë përpjekjet e presidentit aktual Benigno Aquino që bën fushatë të fortë kundër tij.

Në Filipine, Presidenti mund të zgjidhet për vetëm një mandat 6-vjeçar dhe nuk ka nevojë për shumicën për të marrë postin, vetë Aquino në 2010-n u zgjodh me 42% dhe kjo ia lehtëson detyrën Duertes.

Sipas analistëve, pavarësisht probleme ekonomike me të cilat vendi përballet, duket se trafiku i drogës dhe pasojat qe ai sjell, janë shqetësimi kryesor i filipinasve që mbështesin kandidatin që ka premtuar eliminim edhe fizik të trafikantëve.

Top Channel