SHBA, dy të vdekur dhe dy të plagosur nga të shtënat në Maryland

06/05/2016 00:00

Të shtënat me armë zjarri në dy qendra tregtare në periferitë e Uashingtonit kanë lënë dy të vdekur dhe dy të plagosur gjatë kësaj të premteje, ndërsa sipas policisë ende nuk dihen shkaqet e këtij incidenti.

Policia është vënë menjëherë në kërkim të Eulalio Sevilla Tordil, një oficer policie 62-vjeçar i Departamentit të Sigurisë së Brendshme, të cilin ata e kanë identifikuar si shënjestër të të shtënave. Ai dyshohet gjithashtu të ketë vrarë të shoqen dhe një kalimtar të rastit një ditë më parë, në Beltsville të Marylandit. Policia shton më tej se ai kishte kërcënuar të kryente një “vetëvrasje nën uniformë”.

Autoritetet rrethuan 14 shkolla dhe të gjitha objektet rekreative si masa paraprake, teksa më vonë bëhet e ditur se i dyshuari është kapur dhe është shoqëruar në polici. Edhe pse nuk janë të bindur nëse incidenti i së premtes ka lidhje me atë të së enjtes, policia thotë se një përplasje për një vend parkimi çoi në të shtënat e para në qendrën tregtare “Westfield Montgomery”, në Bethesda të Marylandit, ku dy burra dhe një grua u prekën nga të shtënat dhe u dërguan në spital në gjendje kritike.

Incidenti mësohet të ketë ndodhur rreth orës 11 të paradites me orën lokale. Ndërsa mësohet se dy prej të plagosurve ishin kalimtarë, të cilët i erdhën në ndihmë viktimës së parë.

Një tjetër e shtënë me armë u shënua rreth gjysmë ore më pas, nga e cila mbeti e vdekur një grua në qendrën tregtare “Aspen Hill”, në Silver Spring, rreth 13 km më larg. Bethesda dhe Silver Spring janë dy periferi në veri të Uashingtonit. Bashkëshortja e qëlluar prej Tordilit ishte duke pritur në parking për të marrë fëmijët nga shkolla.

Top Channel