Turqi, gazetari “armik” i Erdoganit i shpëton atentatit, por jo dënimit me 5 vite burg

06/05/2016 00:00

Dy gazetarë turq janë dënuar me nga 5 vite burgim së paku, për shkak se akuzoheshin për nxjerrje të sekreteve shtetërore, njëri prej të cilëve vetëm pak orë pasi një agresor tentoi ta vriste jashtë ambienteve të gjykatës në Stamboll.

Can Dundar, kryeredaktor i gazetës opozitare “Cumhuriyet”, i cili shpëtoi i palënduar nga sulmi, u dënua me 5 vite e 10 muaj heqje lirie; ndërkohë që Erdem Gul, shefi i zyrës së Ankarasë i së njëjtës gazetë, u dënua me 5 vite burgim. Të dy ata rrezikonin më shumë, por u shpallën të pafajshëm përballë akuzave për “tentativë rrëzimi qeverie”.

Çështja gjyqësore, në të cilin Presidenti Tayyip Erdogan është pala ankimuese, shkaktoi një reagim mbarëbotëror nga grupet e të drejtave të njeriut, si dhe shton frikën në lidhje me lirinë e shtypit në Turqi, një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për t’u anëtarësuar në BE.

Vetëm pak orë përpara se të jepej vendimi i gjykatës, një agresor tentoi ta qëllonte me armë zjarri gazetarin Dundan. Në sy të të gjithë publikut, përpara godinës së gjykatës, agresori shkaktoi një ngjarje alarmuese, në një vend që është tronditur së fundmi edhe nga bombardimet e kryengritësve kurdë, sikurse edhe nga pasojat e dhunës së Sirinë fqinje.

Personi që tentoi të kryente atentatin e quajti gazetarin “tradhtar” përpara se të qëllonte të paktën dy herë me armë, por pa mundur ta shënjestronte atë, e duke lënë të plagosur një reporter tjetër që po mbulonte zhvillimet gjyqësore.

Sipas dëshmitarëve të “Reuters”, agresori është arrestuar nga policia. Përpara se ai të qëllonte, u ishte afruar reporterëve të pranishëm, të cilëve u kishte bërë të ditur se po priste prej mëngjesit që Dundar të shpallej fajtor. Motivet e veprimit të tij janë ende të paqarta.

“Ne përjetuam dy përpjekje për atentate në vetëm dy orë. Njërën prej të shtënave dhe tjetrën nga drejtësia”, tha Dundar pas vendimit. “Nuk kam aspak dyshim se urdhrat nga zyra më e lartë e vendit (Presidenca) kanë luajtur rol të rëndësishëm në këtë vendimmarrje”.

Can Dundar akuzohet për publikimin e informacioneve mbi kamionët e shërbimeve sekrete turke, të cilat kalonin shpesh kufirin turko-sirian me armatime të fshehura në to, gjatë muajve të parë të vitit 2014.

Top Channel