Republikanët të përçarë

05/05/2016 00:00

Konfirmimi i Donald Trump si kandidati i republikanëve në zgjedhjet presidenciale të nëntorit ka përçarë përfaqësuesit e partisë.

Disa shfrytëzuan rrjetet sociale për të njoftuar se do të hiqnin dorë nga anëtarësimi në shenjë pakënaqësie ndaj fitores së miliarderit, ndërsa të tjerë nuk ja kursyen mbështetjen, duke thënë se Trump është më i pëlqyeshëm se Hillary Clinton, kandidatja e mundshme e demokratëve.

Për senatorin e Karolinës së Jugut, Lindsey Graham kandidimi i Trump do ta çojë partinë drejt shkatërrimit të merituar. Të tjerë, si ish-Guvernatori i Luizianës, Bobby Jindal, i cili ka qenë mes kritikëve më të zëshëm të Trump në të kaluarën, thotë se do të mbështesë atë në zgjedhjet e përgjithshme.

“Ka shumë gjëra që nuk më pëlqejnë nga Donald Trump, por do të zgjidhja çdo ditë atë përballë Clinton”, pohoi Ari Fleischer, sekretar shtypi për ish-Presidentin George W. Bush.

I konsideruar si bast i humbur kur nisi fushatën e tij në muajin qershor, Trump fitoi një numër të madh shtetesh rreth Amerikës, duke mundur një sërë rivalësh me eksperiencë.

Disa analistë republikanë druhen se kandidatura e Trump do të dobësojë pozitat e partisë, duke i dhënë mundësinë demokratëve të fitojnë Senatin dhe ndoshta Dhomën e Përfaqësuesve.

Shqetësimet më të mëdha lidhen me disa prej politikave të emigracionit dhe sigurisë kombëtare, të tilla si ndërtimi i një muri në kufirin jugor të Amerikës që do të paguhej nga Meksika, ndalimi i hyrjes së myslimanëve në vend dhe vrasja e familjeve të terroristëve.

Top Channel