Kosova, pa viza në “Schengen”. E përshëndet Rama dhe Basha

04/05/2016 00:00

Komisioni Europian ka rekomanduar heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Komisioneri për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, gjatë prezantimit të rekomandimit në Bruksel tha se, shpreson që brenda 3 muajve Parlamenti Europian dhe Këshilli i ministrave të miratojnë hyrjen në fuqi të regjimit pa viza për kosovarët.

“E di sa i rëndësishëm është për popullin e Kosovës udhëtimi pa viza dhe jam shumë i kënaqur me progresin e arritur. Shpresoj që Parlamenti Europian dhe Këshilli do ta miratojnë shumë shpejt propozimin tonë”, tha Dimitris Avramopoulos.

Komisioneri Avramopoulos konfirmoi gjithashtu se, të enjten, bashkë me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini, do të ndalen në Prishtinë. Për nder të tyre do të mbahet edhe një seancë solemne e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë në Prishtinë, përfaqësuesi i Bashkimit Europian, Samuel Zhbogar ia ka konfirmuar vendimin kryeministrit Isa Mustafa dhe ministrit të Integrimit Europian, Bekim Çollaku.

“Kosova i plotësoi kushtet që qytetarët e saj, që sikurse edhe qytetarët e tjerë të këtij kontinenti të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Europian. Institucionet e BE-së, përkundër ashpërsimit të kritereve, vendosën sot për Kosovën sipas meritës”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Komisioni ka propozuar të forcojë mekanizmin mbrojtës të pezullimit dhe t’ia mundësojë Komisionit ta aktivizojë këtë mekanizëm me nismën e tij.

Rekomandimin për heqjen e vizave e kanë përshëndetur edhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe përfaqësues të partive politike opozitare në Kosovë.

Lajmin e dha i pari ministri i Integrimit Europian në Kosovë, Bekim Çollaku, i cili konfirmoi përmes një deklarate në Facebook rekomandimin e Komisionit Europian për heqjen e vizave për kosovarët. “Ju uroj nga zemra të gjithëve për propozimin e sotëm të Komisionit Europian, për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Çollaku, i cili ka konfirmuar se brenda këtij viti, qytetarët e Kosovës do të nisin udhëtimin pa viza në zonën “Schengen”. Ministri kosovar i Integrimit Europian tha se, izolimi i Kosovës tanimë mbetet vetëm një kujtim i hidhur i së kaluarës.

Ndërkohë, menjëherë pas këtij lajmi ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka uruar Kosovën për këtë arritje të fundit. “Fill pas UEFA-s, një tjetër lajm i gëzueshëm për Kosovën. Rekomandimi i Komisionit për heqjen e vizave. Më në fund, BE-ja po çlirohet nga një turp!”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Pas këtij vendimi mjaft të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës, reagoi edhe kreu i PD në Shqipëri, Lulzim Basha. Në një postimi në rrjetin social “Facebook”, Basha shkroi: “Sapo u komunikua lajmi i shumëpritur dhe i merituar për lëvizjen pa viza të qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen! Përgëzime të përzemërta për qytetarët dhe autoritetet e Kosovës për këtë arritje të madhe”.

Komisioni Europian e nisi dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar të vitit 2012.

Top Channel