Bisedimet për Sirinë, Kerry shprehet optimist

02/05/2016 00:00

Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri tha se bisedimet me Rusinë dhe partnerët e koalicionit po i afrohen pikës së mirëkuptimit për rikonfirmimin e armëpushimit në Siri, përfshirë edhe në qytetin e Alepos.

“Po i afrohemi një qëndrimi të përbashkët, por kemi ende punë për të bërë, prandaj jemi këtu”, deklaroi Kerri në fillim të takimit me ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir në Gjenevë.

Kerri do të takohet edhe me të dërguarin e OKB-së për Sirinë, Stafan de Mistura, për të diskutuar për mundësitë e ndalimit të luftimeve, sidomos në Alepo, ku situata është katastrofike.

Në të njëjtin kuadër, kryediplomati saudit tha se qëllimi i bisedimeve është të gjendet një rrugë për të ndalur luftimet, ndërsa dënoi përshkallëzimin e përleshjeve si një shkelje të të gjitha ligjeve humanitare. Jubeir  fajësoi qeverinë siriane për sulmet në Alepo dhe i bëri thirrje Presidentit Bashar al Assad që të largohet nga pushteti.

Duke konfirmuar qëndrimin e njohur të Arabisë Saudite, ai tha se Asad mund të zgjedhë që të largohet përmes një procesi politik, në të kundërt do të rrëzohet me forcë.

Top Channel