Fluksi i refugjatëve, Ban Ki-moon dënon politikat kufizuese të vendeve të BE-së

28/06/2016 00:00

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon ka kritikuar ashpër këtë të enjte politikat “gjithnjë e më kufizuese” ndaj emigrantëve në Europë. Në fjalimin e mbajtur përpara Parlamentit austriak, ai tha se kufizime të tilla shkojnë në drejtim të kundërt me detyrat ndërkombëtare që kanë vendet anëtare të BE-së.

Fjalimi i Ki-moon erdhi një ditë pasi parlamentarët austriakë miratuan një projektligj që ndalonte të drejtat për azil dhe lejonte faktin që shumica e këtyre kërkesave të refuzohej që në kufi.

Bashkimi Europian, përfshi Austrinë, kanë vuajtur së tepërmi në përballimin e fluksit të jashtëzakonshëm të emigrantëve, kryesisht sirianë. Më shumë se një milion refugjatë mbërritën në Europë gjatë vitit të kaluar, duke shkaktuar krizën më të ashpër të emigracionit në kontinentin e vjetër, që prej Luftës së Dytë Botërore. Madje shkaktoi edhe përçarje brenda BE-së mbi mënyrën sesi duhej përballuar ky fluks.

“Jam i shqetësuar që vendet e BE-së po miratojnë tashmë politika gjithnjë e më kufizuese ndaj emigrantëve dhe refugjatëve”, tha Ban Ki-moon përpara parlamentarëve në Vjenë. “Politika të tilla ndikojnë negativisht ndaj detyrimeve që kemi si shtete anëtare, bazuar mbi ligjin ndërkombëtar mbi humanitarizmin dhe ligjin europian”.

Ban Ki-moon nuk përmendi konkretisht emrin e ndonjë vendi, por duke parë se nga po fliste, fjalimi i tij është interpretuar gjerësisht si një kritikë së paku e pjesshme ndaj Austrisë. Ligji i ri i këtij vendi lejon qeverinë të deklarojë “gjendjen e emergjencës” për shkak të emigrantëve, si dhe të refuzojë shumicën e azilkërkuesve që në kufi, përfshi edhe ata nga Siria. Sipas tij kufizohet gjithashtu edhe miratimi i mundshëm i ndonjë kërkese për azil, statusi i të cilit do të jetë tashmë i vlefshëm për 3 vite.

Top Channel