“Google” kremton në mënyrë të veçantë Ditën e Tokës

22/04/2016 00:00

Ditën e Tokës, “Google” e kremton me krijimin e 5 “doodles” të mrekullueshëm, që tregojnë florën dhe faunën e planetit. Ato përfshijnë pyjet, tundrën, tokat e gjelbërta, shkretëtirën dhe barrierat koralore, e në secilën prej tyre është vendosur dhe një kafshë.

“Diversiteti i botës është kaq i madh, sa e bën këtë subjekt frikësues për atë që tenton ta mbulojë përmes vizatimit”, tha krijuesja e “Doodles”, Sophie Diao. “Por në fund, unë zgjodha të evidentoj 5 elemente kryesore, – shton ajo, – si dhe 5 kafshë që përfitojnë kësisoj minutat e tyre të famës: ariu polar, dhelpra e kuqe, elefanti, breshka dhe oktapodi”.

Dita e Tokës kremtohet çdo vit në datën 22 prill. Fillimisht, kjo ide i lindi aktivistit John McConnell në 1969-n, ndërsa në formën që njohin të gjithë sot do ta sillte vitin pasues senatori amerikan Gaylord Nelson.

I shqetësuar nga ndikimi i aktivitetit njerëzor te natyra, Nelson kërkoi të rriste në këtë mënyrë ndërgjegjësimin publik mbi problemet e mjedisit, duke i kushtuar për këtë qëllim ambientit një ditë tërësisht të tijën në vit.

Top Channel